Ky është prokurori që liroi personat e involvuar në rrahje brenda qendrës tregtare në Prizren - FOTO

Beqë Shala, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, ka liruar katër persona në procedurë të rregullt, të cilët ishin të përfshirë në një rrahje breda një qendre tregtare në Prizren.

 

Beqë Shala – Prokuror në Prokurorinë Themelore – Prizren

Vetë Shala ka pranuar për KALLXO.com se dy nga të dyshuarit e arrestuar kanë qenë sigurim në qendrën tregtare e dy të tjerë, qytetarë që janë përfshirë në rrahje.

“Ngjarja nuk ka marrë fund, do të hetohet dhe do të veprohet në bazë të gjetjeve. Dy kanë qenë nga qytetarët edhe një grua ka qenë e dyshuar por është liruar, tre fillimisht kanë qenë qytetarë. Të qendrës tregtare kanë qenë dy të dyshuar, njëri nga punëtorët e sigurimit është i lënduar shumë në bazë të fotografive që kam pranuar nga hetuesit. Kur të vjen lënda dhe kompletohet në prokurori mund të shihen të gjitha veprimet, ne nuk na pengon asgjë që të zgjerojmë edhe hetimet nëse është e nevojshme”, tha prokurori Shala në një bisedë me KALLXO.com.

Tutje prokurori Shala tregoi se në bazë të hetimeve do të vendoset për cilësinë e të përfshirëve në rast.

“Këta e kanë cilësinë e të dyshuarve (personat e arrestuar), unë nuk mundem me ju thanë policisë që këta janë viktima a po kupton se fundi-fundit është prokurori, kur vjen lënda i eleminon edhe pse shkon me kallëzim penal, aty mundet edhe me ju ndërru cilësia, me u bë të dëmtuar, kjo është e tëra”, shtoi tutje prokurori Shala.

 

Në pamjet të cilat ka publikuar KALLXO.com mëngjesin e sotëm, shihet se një burrë nga komuniteti romë në Kosovë, sulmohet fizikisht në prani të familjarëve të tjerë të cilët ishin po ashtu në të njëjtën qendër.

Policia ka njoftuar se janë arrestuar katër persona për këtë ngjarje ndërsa janë liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit të rastit Beqë Shala.

KALLXO.com ka kontaktuar prokurorin Shala për të sqaruar vlerësimin e tij për të liruar në procedurë të rregullt të dyshuarit të cilët në pamje shihen duke ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës së rastit.

Shala thotë se rasti është duke u hetuar jep shpjegimin e tij për lirimin e të dyshuarve deri sa shton se e gjitha ka nisur për shkak të mos respektimit të masave kundër pandemisë COVID-19.

“Të gjithë të përfshirët që kanë qenë, ajo çka është raportu nga policia, ata kanë qenë të dyshuar, raportimi nga policia shihet që këta nuk i kanë respektuar masat dhe kanë filluar, sharje, fjalosje, fyerje deri sa është tensionuar situata. Çdo provë është e siguruar. Rasti nuk ka përfunduar. Është një rast që njëri nga të sulmuarit ka qenë i sëmurë me sëmundje kronike edhe kjo do të trajtohet”, tha prokurori për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se ka marrë informacion nga policia se rasti i është ndarë ekipit policor për të vazhduar trajtimin dhe hetimin.

“Rasti është duke u hetuar, të gjitha do të trajtohen, tash është ndarë rasti edhe po punohet në rast asgjë nuk ka përfunduar. Tash bisedova me policinë, rasti i është ndarë hetuesve dhe të gjitha rrethanat do të sqarohen. Shihen pamjet janë vizuele dhe shihen krejt veprimet, kurrkujt nuk ka me ju falë kurrgjë, secili ka me u përgjigj për veprimet e tij”, vazhdon të tregoj prokurori Shala për KALLXO.com deri sa shton edhe se qytetarët kanë pranuar se nuk i kishin vendosur maskat.

Tutje prokurori përmes telefonit për KALLXO.com ka thënë se ka pasur persona që janë dërguar edhe për trajtim mjekësor.

“Të gjithë do të përgjigjen, nëse kanë shku në procedurë kjo nuk ndalon, rasti është duke u hetuar dhe do të veprohet. Ata që kanë pas nevojë për trajtim mjekësor janë dërguar për trajtim mjekësor. Me siguri kanë lëndime por kur të vjen lënda në prokurori mund të shihen të gjitha veprimet”, vazhdoi ai.

Shala tha se nuk kanë pasur njohuri që në rast kanë qenë të përfshirë edhe persona të komunitetit jo- shumicë në Kosovë.

“Që është bërë për motive se kanë qenë të përkatësisë rome, larg koftë, as që kemi pasur informacion të tillë. Nëse kanë pasur ata (sigurimi i qendrës) qëllime të caktuar i kanë njohur, por nuk besoj sepse ata janë shfaqur aty si qytetarë, veç nëse i kanë njohur por nuk e di, por rasti është duke u trajtuar janë identifikuar të gjitha”, tha në fund prokurori Shala.

KALLXO.com mëngjesin e sotëm raportoi dhe publikoi pamje të ngjarjes e cila ka ndodhur në një qendër tregtare në Prizren.

Në lidhje me të njëjtën ngjarje në mëngjes ka reaguar edhe Zëvendësministri i Kulturës, Sejnur Veshall.

Ai ka bërë thirrje që personat që sulmuan fizikisht një person nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas në një Qendër Tregtare në Prizren, të japin përgjegjësi.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Veshall ka thënë se pasi që ka marrë informatën në lidhje me incidentin, ka vizituar familjen në fjalë.

“Biseda më shumë që më dha përshtypje negative nga e nëna e shokut, citimi i thënjës nga sigurimi “Ta q* ma……, ske me mujt me jetu këtu”. Në qendra tregtare asnjëri nuk ka maskë dhe në atë natë nuk kishte asnjëri, po ushtrimi i dhunës tek komuniteti është më e lehtë”, ka shkruar ndër të tjera, Veshalli.

Ai ka thënë se përgjegjësi për këtë do të japin të gjithë, nga dhuna psikologjike për fëmijën e deri tek dhuna fizika për babain.

Në ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar katër persona, në lidhje me incidentin në fjalë.

Rrahja në qendrën tregtare në Prizren, flet prokurori i rastit që i liroi të dyshuarit