Aktakuzë ndaj të dyshuarit për kultivimin e drogës në Gjonaj të Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S. T., për posedim, kultivim të narkotikëve dhe për armëmbajtje pa leje.

Bazuar në komunikatën e prokurorisë i dyshuari gjendet në paraburgim prej datës 03.10.2021 e cila masë është vazhduar dhe do të zgjasë deri më 03.04.2022.

Sipas aktakuzës, i akuzuari S. T., në fshatin Gjonaj – Komuna e Prizrenit, pa autorizim, kultivon, shet dhe shpërndan substanca psikotrope të cilët janë shpallur me ligj si narkotikë.

Pas një kontrolli të njëjtit i janë gjetur:

-Një thes i bardhë letre dhe një thes i zi najloni në peshë prej 2200 gram me kanabis sativa;

-Një thes i zi najloni me peshë totale 2100 gram me trupat e bimës dhe gjethe të kanabis sativa;

-Një thes i zi najloni me trupa të bimës dhe gjethe të kanabis sativa me peshë 1900 gram;

-Substanca psikotrope të llojit marihuanë me peshë 900 gram;

-Bimë kanabisë sativa në peshë totale 3000 gram;

-12 bimë kanabis sativa;

-Pesë bimë kanabis sativa me gjatësi 0.80cm, 1.50 m, 1.25 m, 1.20 m dhe 1.45 m, si dhe

-Tre bimë kanabis sativa me gjatësi 1.00 m, 1.20 m dhe 2.00 m.

Po ashtu, është propozuar që si dënim plotësues ndaj të akuzuarit të bëhet konfiskimi i përhershëm i objektit të veprave penale, dhe atë:

-Një veturë ËV Pasat;

– Dy pushkë gjuetie dy tytëshe;

– 15 fishekë të kalibrit 12 mm., dhe

– Një 1 pistoletë ngjyrë e zezë me dorëza të drurit me karikator të zbrazët.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, shkruan në komunikatën e Prokurorisë.