Rrahja në qendrën tregtare në Prizren, flet prokurori i rastit që i liroi të dyshuarit

Një person nga komuniteti rom është sulmuar fizikisht nga persona të dyshuar në një qendër tregtare në Prizren.

Në pamjet të cilat ka publikuar KALLXO.com mëngjesin e sotëm, shihet se një burrë nga komuniteti rom në Kosovë, sulmohet fizikisht në prani të familjarëve të tjerë të cilët ishin po ashtu në të njëjtën qendër.

Policia ka njoftuar se janë arrestuar katër persona për këtë ngjarje, ndërsa janë liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit të rastit, Beqë Shala.

 

KALLXO.com ka kontaktuar prokurorin Shala për t

ë sqaruar vlerësimin e tij për të liruar në procedurë të rregullt të dyshuarit të cilët në pamje shihen duke ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës së rastit.

Shala thotë se rasti është duke u hetuar. Ai jep shpjegimin e tij për lirimin e të dyshuarve deri sa shton se e gjitha ka nisur për shkak të mos respektimit të masave kundër pandemisë COVID-19.

“Të gjithë të përfshirët që kanë qenë, ajo çka është raportu nga policia, ata kanë qenë të dyshuar, raportimi nga policia shihet që këta nuk i kanë respektuar masat dhe kanë filluar, sharje, fjalosje, fyerje, deri sa është tensionuar situata. Çdo provë është e siguruar. Rasti nuk ka përfunduar. Është një rast që njëri nga të sulmuarit ka qenë i sëmurë me sëmundje kronike edhe kjo do të trajtohet”, tha prokurori për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se ka marrë informacion nga policia se rasti i është ndarë ekipit policor për të vazhduar trajtimin dhe hetimin.

“Rasti është duke u hetuar, të gjitha do të trajtohen, tash është ndarë rasti edhe po punohet, në rast asgjë nuk ka përfunduar. Tash bisedova me policinë, rasti i është ndarë hetuesve dhe të gjitha rrethanat do të sqarohen. Shihen pamjet janë vizuele dhe shihen krejt veprimet, kurrkujt nuk ka me ju falë kurrgjë, secili ka me u përgjigj për veprimet e tij”, tha prokurori Shala për KALLXO.com.

Tutje prokurori përmes telefonit për KALLXO.com ka thënë se ka pasur persona që janë dërguar edhe për trajtim mjekësor.

“Të gjithë do të përgjigjen, nëse kanë shku në procedurë kjo nuk ndalon, rasti është duke u hetuar dhe do të veprohet. Ata që kanë pas nevojë për trajtim mjekësor janë dërguar për trajtim mjekësor. Me siguri kanë lëndime, por kur të vjen lënda në prokurori mund të shihen të gjitha veprimet”, vazhdoi ai.

Shala tha se nuk kanë pasur njohuri që në rast kanë qenë të përfshirë edhe persona të komunitetit jo- shumicë në Kosovë.

“Që është bërë për motive se kanë qenë të përkatësisë rome, larg koftë, as që kemi pasur informacion të tillë. Nëse kanë pasur ata (sigurimi i qendrës) qëllime të caktuara i kanë njohur, por nuk besoj sepse ata janë shfaqur aty si qytetarë, veç nëse i kanë njohur por nuk e di, por rasti është duke u trajtuar, janë identifikuar të gjitha”, tha në fund prokurori Shala.

KALLXO.com mëngjesin e sotëm raportoi dhe publikoi pamje të ngjarjes e cila ka ndodhur në një qendër tregtare në Prizren.

Në lidhje me të njëjtën ngjarje në mëngjes ka reaguar edhe zëvendësministri i Kulturës, Sejnur Veshall.

Ai ka bërë thirrje që personat që sulmuan fizikisht një person nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në një Qendër Tregtare në Prizren, të japin përgjegjësi.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Veshall ka thënë se pasi që ka marrë informatën në lidhje me incidentin, ka vizituar familjen në fjalë.

“Biseda më shumë që më dha përshtypje negative nga nëna e shokut, citimi i thënjes nga sigurimi “Ta q* ma……, s`ke me mujt me jetu këtu”. Në qendra tregtare asnjëri nuk ka maskë dhe në atë natë nuk kishte asnjëri, po ushtrimi i dhunës tek komuniteti është më i lehtë”, ka shkruar ndër të tjera, Veshalli.

Ai ka thënë se përgjegjësi për këtë do të japin të gjithë, nga dhuna psikologjike për fëmijën e deri tek dhuna fizike për babanë.

 

Pamje – Katër të arrestuar për rrahjen që dyshohet se nisi për një maskë në një Qendër Tregtare në Prizren