Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në konferencë | Foto: Petrit Rrahmani

Krerët e sistemit prokurorial kërkojnë angazhim konkret për forcimin e sundimit të ligjit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, kanë vizituar gjatë ditës së sotme Prokurorinë Themelore në Prizren dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Bartësit e sistemit prokurorial janë njoftuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, për punën, të arriturat dhe sfidat e këtyre prokurorive në hetimin dhe ndjekjen e veprave të ndryshme penale në këto dy regjione.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi gjatë vizitës së tij ka kërkuar angazhim dhe efikasitet të mëtejshëm në trajtimin dhe luftimin e veprave penale që ndërlidhen me korrupsionin, krimet ekonomike dhe krimet financiare, si dhe luftimin e të gjitha veprimtarive të tjera kriminale, ngaqë kjo, sipas tij, do të ndikojë dukshëm në ngritjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial.

Gjithashtu, Kryeprokurori Lumezi, ka kërkuar nga prokurorët e këtyre prokurorive të kenë përkushtim dhe integritet të lartë në punën e tyre, duke përfshirë edhe nevojën e avancimit të profesionalizmit dhe llogaridhënies gjatë trajtimit të rasteve të ndryshme penale.

Ndërkaq, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka vlerësuar të dy prokuroritë për rezultatet e arritura, duke pohuar se KPK-ja është e fokusuar në ofrimin e mbështetjes dhe fuqizimit të tërësishëm të sistemit prokurorial, duke kërkuar rritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies, sjelljeve etike dhe integritetit të secilit pjesëtar të sistemit prokurorial.