Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Kuvendi u rikthehet seancave, në rend të ditës edhe emërimi i anëtarëve të KPM-së

Pas më shumë se tri jave, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në ora 13:00 në sallën parlamentare për të vazhduar me pikat e pa përfunduara të seancave të mëparshme, disa prej tyre të pashqyrtuara që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar.

Kryesia e Kuvendit në rend të ditës për mbledhjen e sotme ka një agjendë të mbingarkuar të pikave.

Në mesin e më shumë se 30 pikave, është edhe emërimi i tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të mediave dhe emërimi i një anëtari të Bordit të ankesave në KPM.

Luljeta Aliu-Krasniqi, Granit Musliu, Xhevat Latifi, Violeta Hyseni-Kelmendi, Veton Kasapolli dhe Jeta Abazi-Gashi, janë në garë për tri pozitat në Bord të KPM-së.

Vizitat e deputetëve jashtë shtetit dhe mungesa e tyre në seancë e ka shtyrë për disa herë vendimmarrjen se kush duhet të jetë anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

KALLXO.com ditë më parë ka raportuar se nga bllokada e shkaktuar si pasojë e mos emërimit, 47 ankesa ndaj televizioneve e radiove dhe transmetuesve kanë mbetur pa u shqyrtuar.

Kryetarja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se partia e saj “nuk ka problem” me çështjen e numrave, sa i përket dy pikave për KPM-në.

Nga partitë opozitare nuk ka ndonjë sinjal të qartë nëse ata do vazhdojnë me bojkotin, apo do bëjnë përjashtime në këtë proces, pasi së fundmi kanë bllokuar disa procese votimi për shkak të një konflikti të hapur në mes qeverisë dhe komunave për çështjen e financimit vetanak të komunave.

Mungesa e ligjvënësve nëpër seanca ka pamundësuar disa herë votimin e pikave të papërfunduara ndonëse për to Kuvendi është mbledhur disa herë gjatë këtij sesioni.

Njëjtë ka ndodhur edhe më zgjedhjen e një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

Prej 23 marsit, deputetët e Kuvendit nuk kanë arritur ta shqyrtojnë në parim as Projektligjin për Lirinë Fetare në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës gjatë muajit maj ka mbajtur dy seanca, më datë 3 maj ku janë shqyrtuar disa nga pikat e papërfunduara dhe më 4 maj ka mbajtur seancë të re plenare.

Rendi i ditës në mbledhjen e Kryesisë:

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 mars 2023:

6. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158, 
8. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
10. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
11. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
12. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,
13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
15. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 6 dhe 7 prill 2023:
 
4.    Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
5.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,
6.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,
7.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për energjinë,
8.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-160 për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe  punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, 
9.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale,
10.    Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
11.    Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të seancës plenare, nr.08-V-321, i datës 23 qershor 2022.

III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 20 prill 2023:

7.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve, KOSTT (Operator sistemi, transmisioni dhe tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
8.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, 
9.    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,
10.    Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

IV. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 26 prill 2023:

1.    Votimi i Propozim Rezolutës nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik. 

V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 maj 2023:

6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
7. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,
8. Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,
10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,
11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
12. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,
13. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.