Ilustrimi: Kallxo.com

Kuvendi nis procedurë për auditimin e ‘kuletës’ së partive politike

Raportet financiare dhe ato të deklarimit financiarë të fushatës zgjedhore, të partive politike të cilat morën pjesë në zgjedhjet e vitit të kaluar, pritet t’i nënshtrohen procesit të auditimit.

Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës ka hapur tender të kontraktoj operatorin ekonomik që do ta kryej këtë auditim. Buxheti i ndarë për të realizuar këtë proces kap shifrën e 30,000 euro.

Punët audituese, do të kryhen nëpër selitë e subjekteve politike.

Procedura e hapur e prokurimit, është lloji i procedurës së përdorur me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Data 28 e muajit shkurt 2022, është edhe afati i fundit deri kur operatorët ekonomik mund të paraqesin ofertat e tyre.

Ka më shumë se një vjet që një tender të ngjashëm Kuvendin i Kosovës e kishte iniciuar e që kishte të bënte me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe atyre të deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike për vitin 2018 dhe 2019, ku ishte parashikuar të nënshkruhej kontratë deri në 60,000 euro.

Mirëpo ky aktivitet i prokurimit ishte anuluar, pasi për këtë tender nuk pati asnjë ofertues.

Asnjë ofertë nuk u dorëzua, thuhej në njoftimin për anulim.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte publikuar pasqyrat e të hyrave dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura me 6 tetor.

Ndërsa, partitë politike u vlerësuan si jo transparente në financimin e fushatave sa i përket burimeve të financimit. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile ka mos përputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve pasi të gjitha partitë deklarojnë deficit të lartë  të shpenzimeve.

 

S’ka interesim për auditimin e financave të partive politike