Ilustrim - Logot e partive politike kosovare

S’ka interesim për auditimin e financave të partive politike

Në fund të muajit që shkoi, Kuvendi i Kosovës publikoi thirrjen për kontratë për ofruesit e shërbimeve të auditimit, për të kryer auditimin e raporteve vjetore dhe atyre të deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike për vitin 2018 dhe 2019.

Për tenderin me titull “Auditimi i raporteve vjetore financiare dhe atyre të deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike për vitin 2018 dhe 2019”, Kuvendi përdori procedurën e hapur të prokurimit me kriter të dhënies së kontratës, çmimi më i ulët.

Për të kryer këtë auditim, Kuvendi i Kosovës ka parashikuar të nënshkruaj kontratë deri në 60,000 euro.

Mirëpo ky aktivitet i prokurimi u anulua, pasi që për këtë tender nuk pati asnjë ofertues , Asnjë ofertë nuk u dorëzua, thuhet në njoftimin për anulimin e aktivitet i publikuar nga Kuvendi i Kosovë.

Në anën tjetër, në vitin e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte publikuar pasqyrat e të hyrave dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura me 6 tetor.

Partitë politike u vlerësuan si jo transparente në financimin e fushatave sa i përket burimeve të financimit. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile ka mos përputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve pasi të gjitha partitë deklarojnë deficit të lartë  të shpenzimeve.