Kuvendi miraton kërkesën e TRUST-it për taksën vjetore investive dhe operacionale

Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar taksën vjetore investive prej 0.32 për qind dhe taksën operacionale prej 0.057 për qind për vitin 2020 të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Armend Muja, kryetar i Komisionit për buxhet, ka thënë se kërkesat e Trustit Pensional pas shqyrtimit Komisioni i ka vlerësuar si të arsyeshme.

“Komisioni i ka shqyrtuar dy kërkesat e Trustit Pensional, njëra ka qenë sa i përket fondit invenstiv, kurse tjetra sa i përket shpenzimeve operacionale, të njëjtat i ka diskutu dhe trajtu dhe i ka parë si të arsyeshme dhe ka rekomanduar aprovimit”, tha ai.

Sipas tij edhe shpenzimet operacionale Komisioni i ka parë si të arsyeshme.

“Shpenzimet operacionale ne i kemi gjetur të arsyeshme përgjithësisht dhe mbi bazën e përllogaritjeve, çdo pronar i një llogarie do të ngarkohet 0.15 cent në muaj, apo rreth dy euro në vit, që ne i kemi konsideruar të arsyeshme”, tha ai.