Kuvendi mblidhet të enjten për interpelancë me ministrin Murati

Kuvendi i Kosovës të enjten në ora 10:00 pritet të mbajë seancë të rregullt me një pikë në rendin e ditës.

Në këtë seancë ministri i Financave, Hekuran Murati do të këtë interpelancë.

Kështu ka bërë të ditur kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

“U vendos që seanca e radhës e rregullte të mbahet me 22 qershor, ditën e enjte me fillim në ora 10:00, përveç pikave të zakonshme është paraparë edhe interpelanca me ministrin e Financave Hekuran Murati për çështjen e rishikimit të buxhetit dhe rritjen e pagave në sektorin publik”- ka thënë ajo.

Kusari – Lila ka bërë të ditur se kërkesa për interpelancë ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërsa, kryetari i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri bëri të ditur se cilat janë kërkesat e tyre për ministrin Murati.

“Kërkesa jonë për këtë interpelancë bazohet në dy çështje të rëndësishme e para lidhet me bllokimin e investimeve kapitale në vend. Po ashtu si kërkesë të dytë e kemi kërkesën tonë për rritjen e koreficientit”- tha ai.

Pas mbledhjes së Kryesisë është bërë e ditur se për pika tjera të rendit të ditës, është vendosur të caktohet në një mbledhje tjetër.