Kuvendi mban një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Marok dhe përmbytjet në Libi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë filluar seancën e sotme me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Marok dhe përmbytjeve në Libi.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se i kanë parë me shumë trishtim këto fatkeqësi natyrore, teksa ka kërkuar të mbajë një minutë heshtje për viktimat.

“Në konsultim me grupet parlamentare , vendosëm të mbajmë një minutë heshtje për humbjen e jetës së të gjithë personave në këto katastrofa”- ka deklaruar Konjufca.

Kuvendi i Kosovës pritet që sot të mbajë dy seanca, një të rregullt dhe një të jashtëzakonshme.

Seanca e rregullt ka filluar pas orës 10:00, teksa përveç deklarimit jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, ligjvënësit pritet të votojnë Propozim-Rezolutën për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Si pikë e rendit është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Gjithashtu pritet të formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

Kurse në seancën e jashtëzakonshme do të ketë debat parlamentar “lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”.

Debati parlamentar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore ka dështuar të mbahet pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë.