Kuvendi i Kosovës pa kuorum për votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës e ka bartur për një seancë të radhës votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi në seancën e së hënën për votimin e tyre nuk pati kuorum.

Partitë opozitare, PDK dje LDK, të cilat po kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare nuk kanë votuar për marrëveshjet, përveç njërës marrëveshje për të cilën LDK-ja votoi por për të njëjtën pikë nuk pati kuorum legjislativi.

LDK-ja voti për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.

Ndërsa marrëveshjet të cilat janë bartur për seancën e radhës janë: Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Partitë opozitare në Kosovë po kërkojnë shkuarjen në zgjedhje të reja, pasi kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për situatën në veri të Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmëri për zgjedhje të parakohshme në veri, përmes nënshkrimeve të qytetarëve, pasi sipas tij, është e vetmja mënyrë sesi të bëhet ndërrimi i pushtetit.