Kuvendi i Kosovës miraton ligjin për marrëveshjen financiare për IPA 2018

Kuvendi i Republikës së Kosovës me 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar Projektligjilin për ratifikimin e Amendamentit nr. 1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2018, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zëvëndëskryeministri i Republikes së Kosovës Besnik Bislimi shpjegoi qëllimin e këtij amandamentimi.

“Qëllimi i këtij amandamentimi është që të mundësohet rialokimi i një shume prej 1.5 milion euro të kursimeve në kuadër të projketit të ndrrimit të filtrave të termocentralit Kosova B dhe përmes këtij rialokimi të sigurojmë bazën ligjore për kontraktimin e saj brenda kontratës ekzistuese të projektit dhe atë brenda afateve kontraktuale”, tha ai.

Arben Gashi, kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se si opozitë e përkrahin këtë marrëveshje.

Por, ia përkujtoi ministrit të Financave Hekuran Murati se sa ishte në opozitë i kishte kundërshtuar këto marrëveshje.

“Ne si parti opozitare deklarojmë përkrahjen e kësaj marrëveshje, por ia kujtojmë ministrit të financave se sa ishte në opozitë këto marrëveshjet me rëndësi financiare për Kosovë me një zell të jashtëzakonshëm i refuzonte dhe i kundërshtonte”, tha Gashi.

Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se do ta përkrahin ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Sipas Tahirit implementimi i këtij projekti duke pas parasysh ndotjen e ajrit me të cilën ballafaqohen qytetarët që jetojnë në Prishtinë dhe në regjionin e Prishtinës.

Edhe Besnik Tahiri kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se e mbështesin këtë marrëveshje.

“Është me rëndësi që për këto marrëveshje të kemi shumicën. Unë edhe para se me shku në pushim kam kërku që kjo marrëveshje në veçanti të vendoset në miratim se ka një rëndësi të veçantë në raport me investimin që duhet bërë në KEK”, tha ai.