Gjykata Kushtetuese refuzon kërkesën e PDK-së për pezullimin e vendimeve të Kuvendit të Kosovës të seancës së 13 korrikut

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e 12 deputetëve për të pezulluar vendimet e marra në Kuvendin e Kosovës në seancën e 13 korrikut, gjatë të cilës kishte ndodhur edhe rrahja mes deputetëve të PDK-së dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Në këtë seancë ishin marrë vendime të rëndësishme, me ç’rast ishin miratuar edhe ligje për të cilat ishte diskutuar gjatë në opinion publik.

Partia Demokratike e Kosovës kishte njoftuar më 20 korrik se ka dërguar në Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së caktimit të asaj seance dhe ka kërkuar që të pezullohen të gjitha vendimet e marra në atë seancë.

Gjykata ka vendosur që vlerësimin e kushtetutshmërisë së caktimit të seancës së 13 korrikut dhe kërkesën për masë të përkohshme ndaj vendimeve të marra atë ditë t’i trajtojë ndaras.

Refuzimin e kërkesës për pezullim të vendimeve, Gjykata e ka bërë me arsyetimin se parashtruesit e kërkesës nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi apo arsyetim se pse pezullimi i vendimeve në fjalë i kontribuon evitimit të rreziqeve apo dëmeve të pariparueshme, kështu duke i kontribuar edhe interesit publik.

Sipas Kushtetutës kërkohet, ndër të tjera, që masa e përkohshme të ndërlidhet me “çështjen që është objekt i procedurës para Gjykatës”, me kushtin që pala që kërkon masë të përkohshme të dëshmojë se masa e përkohshme është e nevojshme “për t’u evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme” ose që masa e përkohshme është në “interes publik.”

Gjykata ka sqaruar se ky vendim nuk ndërlidhet e as nuk afekton dy vendime të Kuvendit të miratuara në seancën plenare të 13 korrikut 2023 dhe të cilat janë kontestuar ndaras në Gjykatë nga deputetë të Kuvendit.

Vendimet e kontestuara janë ai për shkarkimin e Kimete Gashit nga pozita e anëtares së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, dhe Ligji për pagën minimale, apo sipas emrit zyrtar Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kishte thënë se seanca e 13 korrikut ishte caktuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e punës së Kuvendit dhe siç ka thënë ai, kryeparlamentari ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime.

“Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”- ishte shprehur Tahiri.

Pas përleshjes që kishte ndodhur atë ditë në Kuvend, derisa tri partitë opozitare po shqyrtonin largimin nga seanca, deputetët shumicë në Kuvend ishin mobilizuar për të miratuar pikat e mbetura të rendit të ditës, në mesin e tyre Projektligjin për çmimin e barnave, Projektligjin për Fondin Sovran, atë për pagën minimale, Projektligjin për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë etj.