Kusari- Lila: Kosova në rrugën drejt shtetit nuk ishte vetëm, populli liridashës ka miqtë dhe aleatët e saj
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila ka uruar të gjithë qytetarët në ditën e pavarësisë.
Më 17.02.2024, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ajo tha se pa ndihmën e ndërkombëtarëve, Kosova nuk do të ishte kjo që është sot.
“Kosova në rrugën drejt shtetit nuk ishte vetëm, populli liridashës ka miqtë dhe aleatët e saj të cilët i japin kuptim shtetit. Në 16 vjet rrugëtim ishim bashkë dhe do të ecim bashkë me botën demokratike” – ka deklaruar Kusari- Lila.
“Në ditë si kjo duhet nderuar mundin dhe përpjekjen, sakrificën e secilit fëmijë, gruaje, burrë që bën që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran. Fëmijët sot shikojnë parakalimin e FSK-së dhe policisë dhe nuk u frikohen nga ato uniforma dhe ky është suksesi i Kosovës, 16 vjet shtet. Kjo është e tashmja dhe e ardhmja e saj”- deklaroi ajo gjatë seancës solemne.
Shefja e GP-së të Vetëvendosjes ka pasur edhe një kërkesë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës.
“Për të gjithë ata që festojnë jashtë vendit, kam një porosi: ejani më shpesh në Kosovë, vizitoni bukuritë e vendlindjes, mësoni fëmijët t’i gëzohen agimit të diellit në Kosovë. Nuk ka forcë që mund të ndal vullnetin e shtetit tonë për të dëshmuar potencialin dhe pasurinë njerëzore që ka. Sot kemi festë, jo veç në Kosovë po kudo që ka shqiptar dhe komunitete që vijnë nga Kosova”- ka thënë ajo.
Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.
Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.
Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.
“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.