Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari – Lila i reagon Ramës: Veriu i Kosovës ka zot shtëpie

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i cili ka thënë se “veriu i Kosovës ndër vite është bërë tokë e askujt”.

Kusari – Lila ka thënë se veriu i Kosovës ka ‘zot shtëpie’.

“Të paktën të kuptosh kur diçka e propozuar nuk është në interesin e Kosovës dhe të kthehesh e reflektosh, sikur reflektove për “Ballkanin e hapur”. Kuptoje se, nuk na duhet konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe – veriu i Kosovës ka zot shtëpie, është shtëpi me telashe, por ka titullar”- ka thënë ajo.

Sipas saj, Rama duhet ta kuptojë përgjegjësinë dhe peshën e fjalëve, kur flet për krizën e Kosovës.

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se NATO duhet të rivendosë kontrollin në veriun e Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme mes serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon.

Rama, për Financial Times ka thënë se veriu i Kosovës ndër vite është bërë tokë e askujt.

“Kosova është një pikë e nxehtë” -tha Rama. [Veriu i Kosovës] është bërë me kalimin e viteve një tokë e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”- ka deklaruar ai.

Rama ka bërë thirrje për një konferencë të nivelit të lartë që përfshin liderët e Francës dhe Gjermanisë dhe ri angazhimin e SHBA.

Deklarata e Ramës se veriu i Kosovës është bërë tokë e askujt, ka ngjallur reagime në opinionin publik.

Rama për Financial Times: Veriu i Kosovës është bërë me kalimin e viteve një tokë e askujt