Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurtishaj: Çmimi i biletave të transportit të udhëtarëve nuk është rritur

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për rritjen e çmimeve.

Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor, tha se çmimet e biletave në Kosovë janë më të lirat në rajon dhe jo vetëm.

Kurtishaj thotë se nuk ka rritje të çmimit të biletave te transporti ndërurban, pavarësisht se, siç thotë ai, punojnë me kushte shumë të vështira. Ai i quan edhe “heronj”.

“Sektori i transportit rrugor të udhëtarëve, operatorët e licencuar që duke vepruar janë heronj të zhvillimit ekonomik të vendit, sepse nga paslufta nuk kemi rritje të biletave. Ka pasur një tendencë të harmonizimit, nuk dua të them rritje të çmimit të biletave në drejtimin për Ferizaj dhe Drenas. Por kur kemi parasysh që bëhen 35 kilometra për vetëm 80 centë është një çmim jashtëzakonisht i lirë. Se nuk ka në asnjë vend të regjionit, Evropës dhe botës me çmim kaq të lirë”, ka thënë Kurtishaj.

“Te çështja e transportit ndërurban nuk kemi rritje të çmimit të biletave dhe për këtë arsye transportuesit janë heronj, janë me automjete të vjetra, me probleme të shumta, pa mbështetje financiare, pa rregullativë të mirëfilltë të Ligjit dhe në këto kushte na ka pru pandemia”, tha ai.

Ai thotë se çmimet janë të lira edhe gjatë sezonit turistik për në plazhet e Shqipërisë.

“Te çështja e sezonit turistik, ju duhet analizuar se cila është logjika e veprimit të kompanive nën çmimin e kostos në zonën turistike. Nuk është shtrenjtë 5 euro me shku deri në Pejë. Ma gjej një vend të rajonit që udhëtojnë 100 kilometra me 5 euro. Ne kemi shumë probleme ne sektorin e transportit të udhëtarëve, dhe në sezonin turistik, duhet hetim këtë çështje, nga Administrata Tatimore, Dogana dhe institucionet tjera relevante se cila është llogaria në aspektn ekonomik e kompanive të cilët operojnë me çmime për sezonin turistik nën çmimin e kostove. Ne e dimë se sa janë shpenzimet e autobusit me shku deri në Shëngjin, Velipojë e të tjera. Minimalisht për Shëngjin duhet të ishte 10 euro kthyese”, ka thënë ai.

Në emisionin e sotëm po diskutohet për rritjen e çmimeve. Të ftuar në emision janë Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, Sakip Imeri nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportit Rrugor.