Kurti vizitoi të lënduarit në aksidentin në Kroaci: Kjo është ditë tejet e rëndë për ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës në Spitalin e Brodit, tha se i ka vizituar të gjithë të lënduarit që po qëndrojnë në këtë spital, si pasojë e aksidentit të sotëm në Kroaci.

“Këtu i vizitova të gjithë pacientët nëpër dhoma e spitalit përfshirë edhe ata dy në kujdesin intesnsiv dhe falënderoj menaxhmentin e spitalit dhe stafin shëndetësor. Kjo është një ditë shumë e rëndë me dhimbje e pikëllim për mbarë popullin”, tha Kurti.

Ai falënderoi homologun e tij kroat për ndihmën e ofruar ndaj bashkatdhetarëve të Kosovës.

“Me këtë rast do të falënderoj kryeministrin kroat për bashkëpunimin e shkëlqyeshme për ndihmën e shpejtë, reagimin urgjent dhe tretmanin ndaj pacientëve këtu në Spital. Qindra qytetarët vijnë në këtë kohë në Kosovë dhe ekonomia jonë varet shumë prej tyre prandaj kjo fatkeqësi është tejet e rëndë për ne”, tha Kurti më tej.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rreth orës 20:00 ka mbërritur në Sllavonski Brod, ku shkoi me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq për të vizituar të lënduarit e aksidentit të sotëm në këtë shtet.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë  të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova në Kroaci.

Aksidenti që ka ndodhur afër Sllavonski Brodit po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.