Kurti u telefonon kryetarëve të komunave, i falënderon për luftën ndaj coronavirusit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se gjatë fundjavës dhe sot ka kontaktuar të gjithë kryetarët e 38 komunave të Kosovës duke përfshirë edhe komunat më shumicë serbe.

Sipas Kurtit me të gjithë kanë biseduar për masat për parandalimin e coronavirusit.

“Përcjellja e atyre që erdhën prej jashtë dhe kontaktet e tyre ndërkohë, dezinfektimi i ndërtesave publike dhe rrugëve e deri tri herë në ditë i qendrave të mjekësisë familjare, ndihma për pleqtë e vetmuar dhe të varfërit, ndjekja e mësimit në distancë për filloristët tanë, gjendja e ndërmarrjeve të vogla e të mesme që bartin barrën kryesore të punësimit, maskat, alkooli, dorëzat dhe pajisjet tjera mbrojtëse, furnizimi me miell, gjësende ushqimore dhe barna etj.etj. i trajtuam bashkërisht në këtë bashkëbisedim” ka shkruar Kurti në facebook.

Tutje Kurti ka falënderuar kryetarët e Komunave për luftën e tyre ndaj coronavirusit.

“Kryetarët e komunave i kam falënderuar për punën që po e bëjnë në luftën tonë të përbashkët kundër virusit Corona dhe se jam i bindur se ata e stafi i tyre po punojnë me të gjitha forcat në fushatën kundër përhapjes së Covid-19”, ka shkruar tuje kryeministri.

Sipas Kurtit në këtë gjendje pandemie të gjithë qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm.

“Këto ditë jemi të gjithë bashkë. Të gjithëve na bashkon tejkalimi i këtij rreziku pandemik. Nuk ka rezistencë më të mirë e ilaç më të suksesshëm sesa përgjegjësia individuale. Asnjë sistem shëndetësor, sado i përparuar dhe i pasur të jetë, nuk është vendimtar sa ç’mund të jetë individi. Andaj edhe Komunat, të cilat janë më pranë njerëzve, kanë më shumë efekt për parandalimin e shpërndarjes së virusit”, ka shkruar tutje ai.

Kurti ka thënë se shpreson se kjo situatë do të përfundoj shumë shpejtë dhe pandemia do të kalohet me dëme sa më të vogla.

“Ne shpresojmë që kjo luftë do të realizohet me kujdes. Sepse vetëm me kujdesin e duhur ajo nuk do të jetë e gjatë, dhe, se vetëm e tillë ajo nuk do të na shkaktojë humbje të njerëzve. Sa më shumë të kujdesemi për shëndetin, aq më kujdes do të kemi edhe për ekonominë tonë. Gjithçka nis dhe mbaron te njeriu. Komuna është më afër secilit prej nesh”, ka thënë ai.

Sipas tij lufta kundër Coronavirusit duhet të bëhet me të gjithë masën e seriozitetit në çdo komunë. Kujdesi duhet të jetë veçse i shtuar, edhe kur jeni komunë e paprekur’.

Kurti edhe një herë i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos lëvizin pa nevojë.

“Virusi udhëton. Ne duhet t’ia ndalim rrugët. Çdo lëvizje e panevojshme e njerëzve, çdo grumbullim publik është një mundësi më shumë për lëvizjen dhe shpërhapjen e virusit”, ka theksuar ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se ‘kryetarët e komunave, me autoritetin dhe përgjegjësinë morale e administrative, mund ta nxisin më shumë se kushdo përgjegjësinë e njerëzve’.

Deri më tani në Kosovë janë 35 raste të coronavirusit, Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime duke përfshirë pezullimin e mësimit deri më datën 27 mars, mbylljen e restoranteve, kafiterive, tregjeve, pezullimin e fluturimeve, mbylljen e kufijve tokësor.

Ndërsa sot pritet të mirën edhe një sërë masash tjera, duke përfshirë kufizimin e qarkullimit.