Kurti tregon si do të votojnë bashkatdhetarët në zgjedhjet e ardhshme

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur lidhur me draft ligjin e ri per zgjedhjet e përgjithshme i cili është hartuar javën e kaluar nga komisioni ad hoc për reformën zgjedhore.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë, tha se ky draftligj i jep fund një “padrejtësie” të gjatë ndaj mërgatës sa i përket votimit.

“Sipas draft ligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, bashkatdhetarët do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike. Regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet Online, ngjashëm si në shembullin e shërbimeve, të cilat kryhen sot në platformën e-Kosova”- tha Kurti.

Sipas tij, në bazë të këtij projektigji, votuesit nga mërgata do të kenë tri opsione për hedhjen e fletëvotimeve.

“I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat e Republikës së Kosovës; Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende”- ka shtuar kryeministri Kurti.

Ai tutje tha se me ndryshimet sipas draft ligjit të ri, pjesëmarrja në zgjedhje do t’i përgjigjet interesimit dhe vullnetit për qenë pjesë e vendimmarrjes.

Sipas tij, sfidat më të cilat janë përballur mërgata ështe se regjistrimi i tyre ka përfshirë procedura të komplikuara burokracie dhe afatet për dërgimin e fletëvotimeve me postë kanë qenë të shkurta.

Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore dërgon në qeveri projektligjin për zgjedhjet