Ilustrim Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore dërgon në qeveri projektligjin për zgjedhjet

Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore ka votuar dje në unanimitet për ndryshimet e Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Ky projektligj do t’i dërgohet Qeverisë për mendim para se t’i fillojë procedurat parlamentare në Kuvend.

Kyetari i këtij komisioni, Abelard Tahiri ka thënë se ndryshimet përfshijnë rekomandimet e misionit të vëzhguesve të Bashkimi Evropian ndër vite.

“Në cilësinë e kryetari të Komisionit ad-hoc për reformë zgjedhore se dje komisioni ka votuar në unanimitet për ndryshimin e Ligjit për reformën zgjedhore që përfshijnë rekomandimet e misionit të vëzhguesve të BE-së. Të gjitha këto nuk e prekin substancën e ligjit por mundësojnë që procesi i zgjedhjeve të jetë efikas. Të eliminohet zbrazëtitë që mundësojnë keqpërdorime. Pas një tentimi të një dekadë. Gjatë ditës së sotit ky projektligj do t’i shkojë Qeverisë për mendim dhe më pas rreth dy jave do të hyjë në procedurë parlamentare”- ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë.

Tahiri ka folur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës të cilat pritet të mbahen më 23 prill.

Sipas tij, për PDK-në është e rëndësishme të zbatohet kushtetutshmëria.

“Kushtetutshmëria dhe sovraniteti ynë të zbatohen në terë territorin e Kosovës. Ne i kërkojmë institucioneve, KQZ-së, Qeverisë, të sigurojnë qetësi që këto zgjedhje të mbahen në mënyrë demokratike”- ka thënë ai.

Ndërsa, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se ka një dakordim të të gjitha subjekteve politike për këtë projektligjin për zgjedhjet.

“Tema e parë ka të bëje me çështjen e reformës zgjedhore. Ka një dakordim të gjitha subjekteve për reformën zgjedhore që përfshirën në ligjin e ri përfshihen edhe procedura që kanë qenë problematike, siç është numërimi i votave, pastaj edhe për vendvotime”- ka thënë ai.

Ndërkaq, misioni i OSBE-së në Kosovë ka mirëpritur miratimin me konsensus të Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme nga Komisioni ‘ad hoc’ për reformën zgjedhore.

Në një postim në Twitter, OSBE ka thënë se pasi të miratohen ky Projektligj, ndryshimet në legjislacion do të përmirësojnë integritetin e zgjedhjeve në Kosovë dhe besimin e njerëzve në mënyrën e menaxhimit të zgjedhjeve.

Misioni tha se kanë punuar së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Komitetin që nga fillimi, duke ofruar mbështetje dhe ekspertizë.

Zgjedhjet në katër komunat e veriut të vendit pritet të mbahen më 23 prill 2023.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës, pasi tha se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë të largohet nga institucionet e vendit.