Foto: KALLXO.com
Kurti thotë se kryeministri nuk themelon asociacione, atë duhet ta bëjnë komunat
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se nuk është punë e tij për të themeluar asociacione.
Sipas tij, kjo është detyrë e komunave.
Kështu tha ai, kur u pyet nëse do të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Ne e kemi një asociacion të komunave, nëse dikush e dëshiron një tjetër, kjo duhet të bëhet nga komuna. Nuk formon kryeministri asociacion e as nuk i themelon”, – tha Kurti në konferencë për media më 29.10.2024.
Kosova, sipas tij e ka një asociacion të komunave dhe “nëse dikush e dëshiron një tjetër, atë duhet ta bëjnë vetë komunat”.
Sipas tij, nëse kryeministri themelon Asociacion, kjo do të ishte imponim ndaj komunave.
Ai tha se disa herë ishte shprehur i gatshëm që ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit, por është refuzuar nga pala tjetër.
Kurti tha se këto mundësi ia ofroi më 27 shkurt të vitit 2023, më 18 mars të vitit 2023 dhe më 26 tetor 2023.
“Jam refuzuar dhe më është thënë se këtë duhet ta bëjë një ekip menaxhues”- shtoi ai.
Ndër të tjera, Kurti tha se nuk do të ketë dërgim në Gjykatën Kushtetuese të asnjë drafti për Asociacionin deri në plotësimin e kërkesave të qeverisë në dialogun me Serbinë.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se kushti i parë është nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike nga Serbia; dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq te autoritetet kosovare dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, drejtuar BE-së.
Edhe pse u takuan për herë të parë pas tre muajsh në një takim trepalësh, përsëri takimi i fundit ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nën udhëheqjen e Mirosllav Lajçak, nuk dha rezultate në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes bazë për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha më 21.10.2024 se pret nga Kosova që ta dërgojë projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksoi se ky mekanizëm nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër të pushtetit.
Edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjatë qëndrimit në Kosovë, më 02.10.2024, ka folur për planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Sarrazin-it, hapi i radhës në planin implementues është krijimi i draftit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.