Takimi trepalësh i 24 tetorit 2024 në Bruksel. Foto: Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak në rrjetin social ‘X’.
Takimi në Bruksel, “i dështuar” në zbatimin e Marrëveshjes, me lëvizje në fusha dytësore
Edhe pse u takuan për herë të parë pas tre muajsh në një takim trepalësh, përsëri takimi ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nën udhëheqjen e emisarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, nuk dha rezultate në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes bazë për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nga zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ky takim u cilësua si “i dështuar”, ani pse tregoi se janë shënuar disa hapa pozitivë që kanë të bëjnë me fusha të tjera.
“Nuk ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe më tutje në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka, ju bëni diçka“- ka thënë Bislimi për media pas takimit.
Përpos “dështimit” ashtu siç e quajti Bislimi, janë arritur edhe disa pajtueshmëri në lidhje me inspektorë sanitarë e veterinerë në veri.
Bislimi tha se janë pajtuar që të themelojnë një grup punues që t’i harmonizojë 20 veterinarë për kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Përveç kësaj, ai tha se janë pajtuar edhe që të kërkohet që inspektorët sanitarë të vendosen në mënyrë të përhershme te pika kufitare Dheu i Bardhë.
Mes tjerash, Bislimi tha se u njoftuan nga emisari Lajçak që ka ”premtime të mëdha në Beograd” që deri në fund të muajit të ardhshëm të lëshohen linjat e interkonjeksionit. Një gjë e tillë ka qenë pjesë e marrëveshjes së energjisë.
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se në takimin e të enjtes në Bruksel është biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ai ka thënë se janë dakorduar për hapat e ardhshëm.
“Folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ende s’ka filluar në thelb. Ne diskutuam gjithashtu për një sërë çështjesh së rëndësishme që rrjedhin nga marrëveshjet e kaluara dhe u dakorduam për hapat e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.
Po ashtu, sipas Bislimit, Lajçak e ka theksuar rëndësinë e një qendre për inspektim teknik që ka realizuar Qeveria e Kosovës në veri dhe njohjen e hapave të tjerë që janë bërë në veri.
“Kishte kërkesa të arrihej marrëveshja për lejimin e vizitave së kryenegociatorëve, por mendojmë se duhet të respektohet marrëveshja si është nënshkruar më herët” -ka thënë Bislimi.
Ndërkaq në lidhje me temën për planin e sekuencimit të Marrëveshjes bazë, Bislimi shtoi se Serbia nuk ka diskutuar fare.
“Serbia vetëm se kishte preferuar ecjen përpara në mënyrë parciale, ku palët zotohen vetëm për një element të marrëveshjes për ta zbatuar. Mendoj se është dështim bukur i madh i këtij rundi, pasi ishte tema kryesore e bisedimeve sot”- tha ai.
Ai tregoi edhe pala serbe ka thënë se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq. i ka dërguar letër Komisionit Europian duke thënë se Serbia është e përkushtuar t’i zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja bazë.
”Për të qenë e sinqertë kjo, duhet të shoqërohet me tërheqjen e letrës së Bërnabiqit që është veprim më i lehtë për palën serbe. Nëse Serbia zotohet t’i zbatojë pikat e marrëveshjes, formalizimi është i thjeshtë” – theksoi ai.
Bislimi beson që letra ka qenë vetëm që Serbia të marrë fonde nga Plani i Rritjes, agjenda e reformave e të cilës u miratua më 23.10.2024 nga Komisioni Europian për shtetet e rajonit, përveç Bosnjës dhe Hercegovinës.
Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Bislimi tha se e kanë bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saj.
“Kosova zotohet se e zbaton marrëveshjen në tërësi, siç e ka treguar gatishmërinë ta nënshkruajë në Ohër”- tha Bislimi.
Ai rikërkoi që të dorëzohet terroristi Millan Radojçiqi i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë ku kishte mbetu i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ndërsa, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se bisedimet në Bruksel ishin të mundimshme dhe se delegacioni i tij ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Thelbi i të gjitha marrëveshjeve, si asaj në Bruksel ashtu edhe në Ohër, është formimi i AKS-së dhe kjo është baza e normalizimit të marrëdhënieve” – ka thënë Petkoviq sipas televizionit publik të Serbisë.
Para katër ditësh, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se ka punuar më së shumti për përgatitjen e takimit të 24 tetorit për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.
“Pata një vizitë produktive në Vjenë, ku u angazhova në një diskutim të thellë dhe të thellë me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, rreth hapave të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Është koha për të filluar zbatimin me zell”- kishte shkruar Lajçak në Facebook më 20.10.2024.
Lajçak pati ftuar Bislimin dhe Petkoviqin për t’u takuar më 17.09.2024. Takimi u zhvillua vetëm në formatin bilateral, për shkak se sipas Qeverisë së Kosovës, pala serbe kishte refuzuar të marrë pjesë në takim trilateral.
“Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë. Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”- thuhej në njoftim.
Në takimin me emisarin Lajçak u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve.
Ndërsa theksohet se Bislimi shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen.
Po ashtu, është berë e ditur se tema të diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes.
Më 04.10.2024 në forumin 2BS në Budvë të Malit të Zi, Lajçak kishte thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse, sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian.
Ai përkujtoi se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se, sot, 18 muaj më vonë, nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.