Kurti takon përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjornstad dhe ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti fillimisht ka folur për punën dhe arritjet e Qeverisë, sfidat e qeverisjes dhe përballjen me to.

“Krahas qeverisjes së mirë, ai veçoi indikatorët ekonomikë të cilët tregojnë për rritje të eksporteve për 29.5% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, për rritje të Investimeve të Huaja Direkte për 47% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe rritje ekonomike për 4.9% në tre mujorin e parë të këtij vitit pasi të zbritet inflacioni” – thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, kreu i ekzekutivit është shprehur se fokusi është te menaxhimi i krizës energjetike teksa ka folur për masat e ndërmarra deri tani që përfshijnë subvencionimin e konsumit të energjisë elektrike për qytetarët dhe masat për efiçiencën e energjisë elektrike.

Në prag të Samitit të Berlinit, kryeministri Kurti ka thënë se shpreson për një rifillim të Procesit të Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Scholz, që do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në si vlerë dhe mekanizëm brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë takimit u bisedua për raportet e mira dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë dhe rolit mbështetës të rëndësishëm të Norvegjisë në zhvillimin e Kosovës dhe synimet integruese euro-atlantike të Kosovës” – thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës, me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive në procesin e dialogut drejt marrëveshjes ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke” – citohet të ketë thënë Kurti.

Kosova dhe Serbia procesin e dialogut e kanë filluar që nga viti 2011.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deri më tani kanë zhvilluar 3 takime të nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.