Kurti takoi zyrtarët e Aleancës për Shqiptarët nga Maqedonia e Veriut: Sfidat tona janë të përbashkëta

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i shoqëruar nga këshilltari i tij politik për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku ka pritur në takim kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe deputetin nga radhët e këtij subjekti, Halil Snopçe.

Sipas komunikatës së qeverisë, ky takim u zhvillua pas homazheve që bënë bashkë te varri i Astrit Deharit, ndërsa në të u trajtuan shumë tema aktuale dhe me interes.

“Sfidat me të cilat përballen dy vendet tona janë të përbashkëta, ndajmë shqetësimin e njëjtë dhe vizionin e njëjtë për të ardhmen e qytetarëve tanë dhe mbarë rajonit”- thuhet në komunikatë.

Tujte sipas komunikatës, u bisedua për raportet ndërmjet dy vendeve dhe avancimin e tyre përmes intensifikimit të bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta.

“Lidhjet infrastrukturore kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për qytetarët por edhe për ekonominë e dy vendeve tona. Koordinimi dhe sinkronizimi i politikave zyrtare kontribon në tejkalimin e probleme dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira për të ardhmen edhe të mbarë rajonit”- thuhet tutje aty.