Kurti takoi policin nga i cili ishte arrestuar 16 vite më parë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot ka takuar menaxhmentin e Policisë së Kosovës, në mesin e tyre edhe kapitenin Besart Ahmeti, i cili Kurtin e kishte arrestuar në një nga protestat që mbante Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Në fotografitë e publikuara në Instagram, përveç fotografive të bëra sot me kapitenin Ahmeti, Kurti publikoi edhe një fotografi ku shihet Ahmeti duke e arrestuar Kurtin.

“Në zyren time në Kryeministri, sot prita ministrin e brendshëm dhe udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, të cilin e ritakova nga afër pas 16 vjetëve. Kapiteni Ahmeti ka udhëhequr profesionalisht policë të njësisë speciale në Bërnjak dhe ka zhvilluar shkëlqyeshëm negociata në terren atje. Nuk ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit, për shkak të pandemisë”, ka shkruar Kurti në instagram.