Foto: ZKM

Kurti takohet me ambasadorin e Francës, flasin për zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Kurti dhe Guerot kanë diskutuar për çështjet aktuale politike në vend me fokus marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve dhe format e mënyrat për thellimin e tyre.

Sipas njoftimit, në takim u bisedua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e dialogut, marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj sipas dakordimit të arritur në Ohër më 18 mars, si dhe për takimin e sotëm në Bruksel në nivel kryenegociatorësh.

Takimi i sotëm, mes zëvendëskryeministrit të Kosovës për dialog Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq, vjen pas takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si Plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Plani i Bashkimit Evropian është përkrahur nga Franca, Gjermania, Italia e SHBA-të, është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Lajçak për takimet në Bruksel: Do të diskutojmë zbatimin e marrëveshjes dhe çështjet aktuale urgjente