Lajçak për takimet në Bruksel: Do të diskutojmë zbatimin e marrëveshjes dhe çështjet aktuale urgjente

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se takimet e sotme me zëvendëskryeministrin e Kosovës për dialog Besnik Bislimin dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq janë për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Lajçak ka ndarë në twitter dy fotografi me Bislimin e Petkoviq, duke thënë se do ti diskutojnë çështjet aktuale urgjente.

“Sot, jam duke mbajtur një takim dialogu në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe çështjet aktuale urgjente”- ka shkruar ai.

Takimi i sotëm, vie pas takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Plani i Bashkimit Evropian është përkrahur nga Franca, Gjermania, Italia e SHBA-të, është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Përmbajtja e këtij plani është bërë publike tek më 27 shkurt të këtij viti.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila kërkohet më urgjencë si nga Serbia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Sot në Bruksel pritet të takohen Bislimi dhe Petkoviq