Kurti: Shumë krime ndaj nesh e aspak drejtësi për neve

Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka kujtuar masakrat e shumta që kanë ndodhur në Kosovë në javën e fundit të muajit mars të vitit 1999, pak pasi që kishte filluar fushata e bombardimeve të NATO-s.

Kurti ka kujtuar vrasjen e avokatit Bajram Kelmendi me dy djemtë e tij, vrasjen e kryesindikalistit Agim Hajrizi e veprimtarit Latif Berisha, masakrat e Krushës së Madhe e të Vogël, masakrën në Suharekë, Izbicë e Lubeniq.

“Lubeniqi paraqet gjenocidin e kryer ndaj popullsisë civile. Mbi 80 persona janë ekzekutuar në këtë vend, përfshirë këtu Muhametin e vogël vetëm 18 muajsh. Shumë krime ndaj nesh e aspak drejtësi për neve, ndonëse u bënë 22 vjet që prej atëherë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka shkruar se Serbia nuk po i ndjek kriminelët, madje disa prej tyre i afirmon në politikë.

“Serbia në përgjithësi nuk i ndjek kriminelët e në veçanti disa prej përgjegjësve i afirmon lart në politikë e në shtet”, shkroi Kurti.

Ai ka komentuar edhe punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendor në gjetjen dhe dënimin e kryerësve të krimeve të luftës në Kosovë.

“Kosova dergjet nga pasiviteti special i prokurorëve të saj dhe joefikasiteti edhe më special i gjykatësve të saj. Të paktën më 29 maj 2019 e patëm amandamentuar Kodin e Procedurës Penale për të mundësuar gjykimin dhe dënimin në mungesë të kriminelëve, por as kjo nuk po sjell rezultate sa duhet”, shkroi tutje Kurti.

“Familjet në Kosovë vuajnë, pa adresim të së vërtetës, pa zhdëmtim, restaurim dhe rehabilitim që do t’ua sillte sistemi i duhur i drejtësisë dhe strategjia e nevojshme e adresimit të së shkuarës”, shkroi në mes tjerash Kurti.

Kurti ka shkruar se do të angazhohen që  të bëjnë më të mirën e mundshme për t’i mbyllur plagët e së kaluarës.