Kurti publikon pamje nga ndezja e qirinjve në nderim të policit të vrarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar pamje nga ndezja e qirinjve në nderim të Afrim Bunjakut, policit të vrarë sot në orët e para të mëngjësit në Banjskë të Zveçanit dhe nga vizita e tij te familja e të ndjerit.

“Vizitë familjes Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë dhe ndezje qirinjësh në Prishtinë, për nder të jetës dhe veprës së Rreshterit Afrim Bunjaku”- ka shkruar Kurti.

Kurti u deklarua para mediave duke thënë se dhembja është e madhe, por edhe krenaria është e jashtëzakonshme.

“Bashkë me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashanin dhe drejtorin e policisë dhe kolegë të ndjerit Afrim Bunjaku, sot erdhëm që të shprehim ngushëllime si Qeveri e Republikës së Kosovës. Pikëllimi është i thellë, dhembja është e madhe por edhe krenaria është e jashtëzakonshme për guximin dhe sakrificën e Afrimit. Në betejën e Kosovës për rend, ligj dhe kushtetutshmëri, për siguri dhe për paqe, për të drejta dhe për liri për të gjithë pa dallim, kundër kriminelëve dhe terrorizëve të mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht nga Serbia do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës”- tha Kurti.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist sot gjatë ditës u futën brenda në manastirin e Banjskës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.