Kurti për zgjedhjet në Serbi: Të respektohet kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur sot lidhur me zgjedhjet presidenciale të 3 prillit të Serbisë në Kosovë dhe ka thënë se dëshirojnë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, Ligji dhe rezoluta 15 janarit të këtij viti.

Kurti këto i tha pas takimit me kancelarin austriak, Karl Nehammer dhe sipas tij gjatë procesit të zgjedhor me 3 prill nuk do të ketë probleme.

“Ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet kushtetuta, ligji dhe rezoluta 15 janarit të këtij viti. Nuk duam që t’ja pengojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaporta të Serbisë të drejtën për të votuar”, tha Kurti.

Tutje ai shtoi që Kosova është në kontakt me Brukselin dhe ambasadat e QUINT-it, kryeqytetet evropiane dhe SHBA-të lidhur më këtë çështje.

“Mund të ketë ndokush që dëshiron të ketë destabilizim, eksese, incidente por këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe as institucioneve të Republikës. Jemi në kontakt me Brukselin dhe ambasadat e QUINT-it, kryeqytet evropiane dhe SHBA-të, besojmë që nuk do të ketë probleme. Kemi nevojë për paqe dhe dita e 3 prill nuk do të jetë ndryshe”, tha Kurti.

Lidhur me zgjedhjet e 3 prillit kancelari austriak Karl Nehammer, tha se duhet të bëhet gjithçka që të mos shkatërrohet ajo që është ndërtuar në Kosovë deri tani.

“Duhet të bëjmë gjithçka qe ata të mos e kenë të lehtë të mos shkatërrojnë dicka që është bërë deri më tani. Austria është ndërmjetësues në këtë proces. Duhet të veprojmë kundër propagandës dhe dezinformatave dhe të kemi me shumë vesh e sy dhe të luftojmë problemet qe mund të kenë Kosova dhe Serbia”, tha Nehammer.

Republika e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, në janar të këtij viti dhe kuvendi pati miratuar rezolutë për këtë çështje.

Referendumi serb kishte të bënte me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kosova kishte ofruar mundësinë që serbët që kanë dyshtetësi të votojnë përmes postës dhe zyrës ndërlidhëse.