Kurti për raportin me Amerikën: Nuk kam mundur të bëj diçka më ndryshe

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ ka folur edhe për raportin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se nuk ka mundur të bëjë diçka më ndryshe, për shkak të programit qeverisës dhe zotimeve parazgjedhore.

“Unë do të mundesha të bëjë ndryshime vetëm në dy mënyra: një mënyrë është heqja e tarifës, pa reciprocitet, të shkojë në referendum dhe e dyta është që çështja e tarifës 100% pa reciprocitet të jetë temë e dyta ose e treta në fushatën e ardhshme zgjedhore. Pa një rikthim  te populli unë nuk kam legjimitet që të devijojë personalisht”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është i ftuar sonte përballë Jeta Xharres për të biseduar mbi situatën politike dhe menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Qeveria LVV-LDK ra më 25 mars pas një mocioni i inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Albin Kurti udhëhoqi ekzekutivin kosovar 51 ditë. Qeveria e Kurtit është qeveria më jetëshkurtër në historinë e Kosovës.