Kurti pas marrëveshjes: Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve identifikuese.

Kurti ka thënë se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti.

“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, ka thënë Kurti.

Ai ka falënderuar ndërmjetësit, Josep Borrell, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan Jeff Hovenier për angazhimin dhe kontributin.

Kreu i ekzekutivit ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kosova dhe Serbia kanë arritur sot marrëveshje për dokumentet identifikuese.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”- ka shkruar Borrell në Tëitter.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Borrell ka thënë se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

Qeveria e Kosovës më 29 qershor pati vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Vendimi për dokumentet kërkon lëshimin e një dokumenti për hyrje/dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë.

Një dokument të tillë Serbia e lëshon për shtetasit e Kosovës që 11 vjet.

Më 31 korrik serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator, ndërsa barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Borrell: Arrihet marrëveshja Kosovë- Serbi për dokumentet