Isa Mustafa - Albin Kurti
Kurti: Nuk kemi dallime me LDK-në për tarifën ndaj Serbisë
Largimi i menjëhershme i tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë ka shpërfaqur qëndrime të ndryshme mes partnerëve të koalicionit qeveritar, LDK dhe LVV.
Pas deklaratave të senatorit Perdue për largimin e tarifës ose tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë qëndrimi i kësaj partie është heqja pa kushte e tarifës, ndryshe nga kryeministri i cili po insiston me zëvendësimin e tarifës me reciprocitet.
Lidhur me dallimet mes dy partive, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk kanë dallime por “diferenca”.
“Nuk besoj që kemi dallime, natyrisht që kemi diferenca. Mirëpo, ka diferenca edhe brenda gjitha subjekteve politike”, tha shkurt Kurti.
Kryeministri tha kështu sonte në Podujevë ku ka shkuar për ta mbështetur kandidatin e partisë së tij, Shpejtim Bulliqin, për kryetar të Komunës, për zgjedhjet e 15 marsit.
Kryeministrit Albin Kurti po i kërkohet që menjëherë të heq tarifën 100 për qind, pas paralajmërimeve të ShBA-së, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Kurti: Trupat amerikane nuk tërhiqen, taksa zëvendësohet me reciprocitet
Albin Kurti ka folur edhe lidhur me paralajmërimet e sotme për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. Ai tha se trupat e KFOR-it nuk do të tërhiqen dhe që ky vendim nuk ka të bëjë me tarifën.
Ai ka përsëritur qëndrimin e tij lidhur me heqjen graduale të tarifës 100 % dhe vendosjen e reciprocitetit.