Mustafa: Marrëdhëniet me ShBA-në kanë hyrë në fazë kritike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar pas deklaratave të senatorit Perdue për largimin e tarifës ose tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

“Marrëdhëniet me SHBA-në kanë hyrë në një fazë shumë delikate por edhe kritike. Deklarata e Senatorit Perdue flet qartë se ku jemi. S’ka tarifë as reciprocitet që vë në peshojë marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Mustafa ka thënë që qëndrimi i LDK-së është heqja pa kushte e tarifës.

“Si kryetar i LDK-së jam deklaruar qartë për heqjen e pakusht të tarifës , ndërkaq që reciprociteti të dakordohet me SHBA dhe BE, varësisht nga sjellja e Serbisë. Ky është qëndrimi dhe zëri i LDK-së”, ka shkruar tutje ai.

Mustafa ka theksuar se “nuk ka zë të popullit në Kosovë që rrezikon dhe i vë në pikëpyetje relacionet me SHBA”.

Kryetari i LDK-së ka thënë që është ka dërguar një zyrtarë të LDK-së për të biseduar me Grenellin.

“Jam në komunikim me Ambasadorin Grenell. E kam dërguar një zyrtar të lartë të LDK-së të bisedojë drejtpërdrejti me te, të informohet për takimin e fundit të Presidentit Thaçi dhe Vuqiç në Washington dhe t’ia prezantojë qëndrimet e LDK-së”, ka shkruar tutje ai.

Mustafa ka thënë se do bashkëbisedojë me Kryeministrin Kurti, si partner i koalicionit, dhe si LDK në ditët në vijim do ti bëjmë të qarta veprimet të cilat e ruajnë partneritetin dhe miqësinë me SHBA-të.

Donald Trump Junior, i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Albin Kurti, ka prezantuar një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.

Ndërsa largimin e plotë të tarifës Kurti e premtoi vetëm nëse Serbia deri më 1 prill dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.

Ndërsa nga BE-ja kryeministri kosovar kërkoi që të reflektojë, duke e bërë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Propozimet e Kurtit u pritën me reagime të përziera si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. SHBA-të nuk i përkrahën masat e Kurtit duke kërkuar heqjen e tërësishme të tarifave, BE-ja i përkrahi duke mos dhënë datë për vizat, ndërsa Serbia e konsideroi ‘mashtrim’.