Kurti ngushëllon Shqipërinë për të vdekurit si pasojë e tërmetit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar pas tërmetit i cili ka goditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit.

Kurti përmes një publikimi në Facebook ka ngushëlluar familjet e të vdekurve si pasojë e tërmetit si dhe ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarit.

Po ashtu, Kurti është shprehur i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë.

“U ndje shumë edhe në Prishtinë. U zgjuam të gjithë. Por tash mendjen, sytë dhe veshët i kemi te Durrësi, te Kurbini e Thumana. Ngushëllime familjeve të viktimave dhe shërim të plagosurve e të lënduarve. Lutemi e urojmë që të mos përsëritet tërmeti. Kosova e përjeton dridhjen e dhimbjen e Shqipërisë. Jemi të gatshëm t’iu ndihmojmë autoriteteve zyrtare për çdo gjë”, ka shkruar Kurti.

Shqipëria është tronditur nga disa tërmete të forta të njëpasnjëshme, me pasoja të rënda në jetë njerëzore dhe dëme materiale.

Sipas Institutit të Gjeoshkencës, tërmeti i parë u regjistrua në orën 1:18 minuta pas mesnate, për tu pasur edhe me 11 tërmete të tjera, ku ai i orës 03:54 ishte më i fortë me magnitudë 6.4 ballë.

Situata më e rënduar paraqitet në zonën e Thumanës, ku një pallat është rrëzuar.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë konfirmon se katër persona kanë vdekur. Dy viktima janë gjetur nën rrënojat e pallatit.

Dy viktimat e tjera janë në Durrës dhe Kurbin. Ndërsa sipas raportimeve paraprake raportohen se rreth 135 po marrin ndihmë mjekësore tek Trauma, 130 persona po marrin ndihmë në Spitalin e Durrësit dhe 60 në QSUT.