Kurti nga Vlora ua uron shqiptarëve 28 Nëntorin
Në shënim të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit kombëtar dhe bëri homazhe në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë.
Në këtë ceremoni ai ishte përkrah presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
“Kurti ua uroi të gjithë shqiptarëve 28 nëntorin, për këtë festë të madhe të flamurit e të lirisë, të pavarësisë e të bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan, e në mërgatë, në botë” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ai nga qyteti i Vlorës tha se çdo ditë tjetër duhet të punohet për idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, të Ismail Qemalit nga Vlora, e të Adem Jasharit nga Prekazi.
“Ne ishim këtu për të bërë nderime në Vlorë me krerët institucionalë të shtetit shqiptar dhe pasdite do të jemi në Kosovë, për të bërë homazhe tek varrezat e Jasharajve në krye me kryekomandantin Adem Jashari”- tha kryeministri Kurti.