Kurti: Ministrinë  e Bujqësisë e kemi gjetur me 40 milionë euro obligime financiare

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kanë premtuar miliona euro mbështetje përmes subvencioneve për bujqit dhe fermerët e Kosovës.

“Pandemia e ka validu peshën e madhe që ka zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë. Në përputhje me programin tonë qeverisës po angazhohemi për nxitje të investimeve në kapacitete të reja prodhuese e eksportuese”, tha Kurti.

Kurti tha se qeveria e udhëhequr nga ai, i ka mbështetur prodhuesit dhe bujqit në Kosovë.

“Ju kemi përgjigjur kërkesës së prodhuesve që shteti të subvencionoj 50 për qind të kamatës. Për subvencionimin prej 20 për qind të kredisë investive, prodhuesi që investon 500 mijë euro në zgjerim të kapaciteteve do të mund të marrë edhe më shumë sesa kamata që paguan, më saktësisht 100 mijë euro”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se mbështetja nuk ndalet me kaq, duke paralajmëruar edhe ndihma të tjera.

“Secili prodhues do të mund të përfitojë deri në 130 mijë euro tjera shtesë mbi subvencionimin e investimit për të rritur cilësinë e produktit dhe zgjerimin në tregjet e reja”, tha Kurti.

Tutje kryeministri Kurti tha se hapja e thirrjes e subvencioneve do të bëhet në muajt e parë të vitit të ardhshëm, për çka premtoi edhe transparencë.

“Zgjerimi i prodhimtarisë dhe bujqësisë zhvillohen me përkrahjen e fermerëve meritor. Thirrjet për subvencione vitin e ardhshëm do të hapen në çerekun e parë të vitit dhe do të përmbyllen deri në mes të prillit, sepse investimet në këtë sektor kaq të rëndësishëm kërkojnë vëmendje dhe kohë në planifikim”, tha Kurti.

Tutje kryeministri Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci tha që kjo ministri është gjetur me 40 milionë euro obligime ndaj fermerëve në kategorinë e subvencioneve.

“Me buxhetin e ri të qeverisë së re, vitin 2022 do të fillojmë me zero obligime financiare karshi fermerëve. Përkrahja e cila për një vit kalendarik, e arriti vlerën mbi 50 milionë euro, vitin e ardhshëm do të rritet edhe me 11 milionë euro buxhet shtesë për fermerët dhe prodhuesit vendor”, tha ai.

Faton Peci, ministër i Bujqësisë, tha se ky vit kalendarik është viti me përkrahjen më të madhe të subvencioneve.

Peci tha se do të ketë 11 milionë euro shtesë për kategoritë e granteve për vitin 2022.

“Me vendosjen e ligjshmërisë brenda institucionit, rritjen e nivelit të qeverisjes, uljes së keqpërdorimit ose mënjanimin e tërësishëm, eliminimin e obligimit karshi fermerëve, dhe krijimin e një imazhi të ri pozitiv për ministrinë janë angazhimet e tona që do të pasojnë në periudhën vijuese”, tha Peci.

Dje kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë prezantuar   operacionalizimin e masës 2.1-Subvencionimi i Kredive Investive – dhe masës 2.4 – Mbështetje e eksportit- të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Murati, tregon disa nga masat subvencionuese për prodhuesit vendor