Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas shpalljes së zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, e cila e caktoi 14 shkurtin si ditë të zgjedhjeve.

Kurti përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se pas shtatë muajve u dëshmuar ajo që dihej nga fillimi, sipas tij, zgjedhja e qeverisë ‘koti’ siç e ka quajtur, ka qenë kot.

Kurti ka shkruar se qytetarët kërkojnë punë e arsim, drejtësi e shëndetësi dhe sipas tij, qeveria e toj do të jetë në shërbim.

“Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor.Me 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë”, ka shkruar Kurti në ‘Facebook’.

Dje, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt 2021.

“Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më këtë vendim KQZ-ja është udhëzuar t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Presidentja shpërndan Kuvendin, zgjedhjet e reja caktohen për më 14 shkurt