Presidentja shpërndan Kuvendin, zgjedhjet e reja caktohen për më 14 shkurt

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt 2021.

“Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më këtë vendim KQZ-ja është udhëzuar t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

U.d. presidentja po ashtu ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.