Foto: ZKM

Kurti: Komuniteti ndërkombëtar është më optimist për Vuçiqin sesa për veten

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se SHBA dhe BE prej Kosovës duan shtendosje të situatës në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke shtuar se Qeveria pajtohet plotësisht me ta.

Ndërsa, teksa ka folur për zhvillimet e fundit, ai ka thënë se Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj tij duke i vendosur masa ndëshkuese.

“Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi”- ka thënë ai për gazetën kroate “Veçernji List”.

Sipas Kurtit, komuniteti ndërkombëtar është më optimist për presidentin serb Aleksandar Vuçiq sesa për veten.

“Ky hendek zgjatet me një hendek tjetër kur komuniteti ndërkombëtar ka pritshmëri të ulëta nga Vuçiqi në të tashmen, por megjithatë shpresa të mëdha në afat të mesëm. Prandaj, sa herë që Beogradi bën një gjest pozitiv, ata e zmadhojnë atë, sepse kanë pritshmëri jashtëzakonisht të ulëta. Në këtë kuptim, komuniteti ndërkombëtar, paradoksalisht, është më optimist për Vuçiqin sesa për veten”- ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar.

Ai tutje ka shtuar se është optimist për Kosovën, për BE-në dhe NATO-n, por jo kur është fjala për Vuçiqin.

Kurti ka thënë se Beogradi po zhvillon luftë hibride kundër Kosovës.

Kryeministri Kurti tutje ka folur edhe për masat e vendosura nga SHBA e BE pas situatës së krijuar në veri.

“Kjo është një padrejtësi. Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”- ka thënë ai.

Intervista e plotë: