Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti komenton “non-paper”-in për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot nga Brukseli është deklaruar për herë të parë rreth “non-paper” në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që është pubikuar së fundi, e ku përveç idesë së krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përmendet se Kosovës i kërkohet që veriu i vendit të jetë një Rajon Autonom.

Kurti ka thënë se këtyre letrave jo-zyrtare duhet t’u përgjigjur me “No comment”.

“Unë besoj që të gjithë këtyre “non paper-ave” më së miri është t`u përgjigjemi me ‘no comment’, për shkak se përmes përgjigjeve po përpiqen që të marrin jetë, në kohë që nuk dihet autori dhe as synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial…”, tha ai para gazetarëve.

Sipas Kurtit, Kosova nuk e ka shpallur pavarësinë vitin e kaluar, por para 13 viteve.

“Duhet të shkojmë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Kosova nuk ka dilema, BE-ja dhe NATO-ja janë edhe vlera edhe destinimi ynë. Por në të njëjtën kohë, raportet në Ballkan do të mund t’i rregullojmë vetëm me dialog parimor e të përgatitur mirë, ku Kosova është palë e jo thjeshtë temë dhe gjithashtu me barazinë qysh në pikënisje”, u shpreh ai.

Kurti po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel. Ai ka treguar se çfarë qëndrimesh po shprehë në takimet atje.

“Në këto takime në kuadër të vizitës së parë  jashtë vendit, ne po shprehim përkushtimin tonë për integrim evropian për refoma të thella në vendin tonë dhe po kërkojmë ndihmë nga BE për programin tonë qeverisës në të gjitha fushat, përfshirë përpjekjet për të luftuar suksesshëm për pandeminë, sidomos për vaksinat”, tha ai.

Një letër të cilën e ka siguruar KALLXO.com nga burimet e veta brenda Bashkimit Evropian, përveç idesë se krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosovës po i kërkohet që veriu i vendit të jetë një Rajon Autonom.

Përveç Asociacionit, Kosovës në Bruksel i kërkohet ‘Rajon Autonom i Veriut të Kosovës’ (Dokumenti i plotë)