Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti kërkon siguri ligjore në marrëveshjen bazike: BE të reagojë ndaj shkeljeve nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se duhet të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike që u dakorduar më 27 shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.

Kurti tha se Serbia ka shkelur 8 nga 11 nenet e marrëveshjes, dhe ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të reagojë ndaj shkeljeve më të vogla që mund të bëhen e që sipas kryeministrit “fatkeqësisht ato janë të shumta e nuk janë të vogla”.

“Me datë 27 shkurt jemi dakorduar për Marrëveshjen Bazike dhe me 18 mars jemi dakorduar për Aneksin e Zbatimit, problemi është se nga 11 nenet e marrëveshjes bazike së paku 8 janë shkelur nga Serbia dhe ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim dhe mos shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar që të ketë nënshkrim të marrëveshjes. Normalizimi i marrëdhënieve nënkupton marrëveshje normale. Kërkojmë nga BE që si një arbitër gjithmonë të reagoj ndaj shkeljeve më të vogla që mund të bëhen e fatkeqësisht ato janë të shumta e nuk janë të vogla”- është shprehur Kurti.

Vitin e kaluar, më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe më pas më 18 mmars në Ohër, u dakorduan për Aneksin për zbatimin e saj.

Marrëveshja prej 11 nenesh, që parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, gjithashtu kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.