Foto: Zyra e Kryeministrit

Kurti kërkon nga Costa rol aktiv që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, pasi ka theksuar faktin që kanë kaluar gati dy vite e gjysmë që nga aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kurti ka kërkuar nga presidenti Costa rol aktiv për dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusit të vendit kandidat.

“Ai gjithashtu, kërkoi heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti ka përmendur me këtë rast raportet e organizatave ndërkombëtare që, sipas tij, flasin për progresin që ka bërë Kosova në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, rendin dhe sigurinë, dhe rritjen ekonomike.

Gjithashtu, sipas komunikatës, në takimin Kurti-Costa është biseduar edhe për sigurinë rajonale, me ç’rast kryeministri tha që kërcënimet për rajonin vijnë nga Serbia, e cila, sipas tij, është përgjegjëse për sulmin paramilitar dhe terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, dhe lidhjet e vazhdueshme të saj me Federatën e Rusisë.

Sipas njoftimit, Kurti gjithashtu ngriti shqetësimin për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të nën-përfaqësuar në institucionet publike, diskriminohen në punësim dhe të drejtat e tyre shpërfillen në mënyrë të vazhdueshme” – citohet të ketë thënë Kurti.

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, paraprakisht është pritur nga presidentja Vjosa Osmani.

Costa: Kosova ka ende punë për të bërë për t’iu hequr masat