Kurti: Jemi të detyruar të marrim masa

Kryeministri Albin Kurti ka folur para kabinetit qeveritar pak para se të votohen masat e reja për mbrojtje nga COVID-19.

Sipas kryeministrit, pas përkeqësimit të gjendjes me COVID-19, janë të detyruar që të marrin masat të reja.

“Tani kur situata u përkeqësua jemi të detyruar të marrim masa kufizuese që kanë për qëllim ndërprerjen sa më të shpejtë të rritjes së trendit të infektimit. Jemi të detyruar ta shtyjmë fillimin e fitit të ri shkollor”, tha kryeministri Kurti.

Poashtu, kryeministri tha se janë të detyruar që të zvogëlojnë qarkullimin e njerëzve.

“Duhet ta zvogëlojmë edhe qarkullimin e njerëzve, jemi të bindur që masat që po marrim sot janë të mira në raport me qëllimin”, tha në mes tjerash Kurti.

Ai foli edhe për kohën kur Qeveria i kishte liruar masat.

“Kur situata epidemiologjike përmirësohej, i lironim masat, kur përkeqësohej ishim të detyruar t’i ashpërsonim ato. Nga parandalimi u kthyem në kundërsulm përmes vaksinimin. Edhe pse e nisëm të fundit vaksinimin të fundit në rajon, ishim në krye me administrim të vaksinave”, tha Kurti para kabinetit qeveritar.

Në fjalën e tij, Kurti u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve të atyre që kanë vdekur si pasojë e COVID-19.