Kurti i shkruan letra falënderimi Erdoganit dhe Natanyahut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti të hënën i ka shkruar letra falënderimi presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në letrën dërguar presidentit Erdogan, Kurti ka falënderuar shtetin turk për mbështetjen e dhënë për Kosovën, duke theksuar se komuniteti turk në Kosovë do të ketë rol të rëndësishëm edhe në qeverinë e ardhshme.

“Kur qeveria jonë të formohet, synoj të zgjerojmë dhe thellojmë raportet tona përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur e të sinqertë”, ka shkruar Kurti.

E në letrën për kryeministrin, Natanyahu, Kurti ka mirëpritur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

“Kombi jonë historikisht ka respektuar komunitetin hebre. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do të isha i nderuar të adresoj çështjet e komunitetit hebre dhe trashëgimisë së vet në shtetin tonë. Teksa shtetet tona po vendosin marrëdhënie diplomatike, synoj të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Faleminderit për ftesën që të vizitoj shtetin tuaj mik, të cilën gjë do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, ka shkruar Kurti në letrën e tij.

Ditë më parë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në letrën e tij që i ka shkruar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se do të ishte i lumtur që ta mirëpriste Albin Kurtin në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për  inaugurimin e saj”, ka shkruar Netanyah.

Më 4 shtator, në Uashington, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizim ekonomik.

Marrëveshja, e cila është nënshkruar në praninë e ish- presidentit amerikan, Donald Trump, mes tjerash, thotë se Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin dhe se Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

E pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si dhe hapjen e ambasadës në Jerusalem, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, përmes një njoftimi për media ka thënë se angazhimi i Kosovës për të hapur ambasadë në Jerusalem është kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

“Angazhimi në fjalë i Kosovës, përbën kundërshtim ndaj ligjit ndërkombëtar, kryesisht ndaj rezolutave të Kombeve të Bashkuara (OKB) të miratuara për këtë çështje. Hapi që do të hidhet në këtë drejtim është i qartë se nuk do t‘i shërbejë kauzës palestineze dhe se do të dëmtojë vizionin për zgjidhjen me dy shtete”, ka shkruar Aksoy.

 

 

Turqia: Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar