Flamuri i Turqisë dhe ai i BE-së

Turqia: Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar

Turqia ka reaguar pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, si dhe paralajmërimit për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, përmes një njoftimi për media tha se angazhimi i Kosovës për të hapur ambasadë në Jerusalem është kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

“Angazhimi në fjalë i Kosovës, përbën kundërshtim ndaj ligjit ndërkombëtar, kryesisht ndaj rezolutave të Kombeve të Bashkuara (OKB) të miratuara për këtë çështje. Hapi që do të hidhet në këtë drejtim është i qartë se nuk do t‘i shërbejë kauzës palestineze dhe se do të dëmtojë vizionin për zgjidhjen me dy shtete”, ka shkruar Aksoy.

Dje Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Gjatë ceremonisë u paralajmërua edhe hapje a ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Ky hap u mirëprit nga SHBA-të por jo edhe nga BE-ja e cila kërkoi që Kosova të mos e minojë synimin për në BE duke theksuar se ambasadat duhet të vendosen në Tel Aviv dhe jo në Jerusalem.

Më 4 shtator, në Uashington, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizim ekonomik.

Marrëveshja, e cila është nënshkruar në praninë e ish- presidentit amerikan, Donald Trump, mes tjerash, thotë se Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin dhe se Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Vetëm pak ditë më vonë, më 7 shtator Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, kishte shprehur “shqetësim dhe keqardhje serioze” për këtë paralajmërim.

“Asnjë ambasadë e ndonjë vendi të BE-së nuk është në Jerusalem. As zyra e Delegacionit të BE-së në Izrael nuk është në Jerusalem. Pasi edhe Kosova, edhe Serbia janë shprehur të përkushtuara për integrimet evropiane, si qëllim strategjik, ato edhe duhet të sillen në këtë mënyrë”, pati thënë ai.

BE-ja ende e konsideron statusin e Jerusalemit si çështje rreth së cilës ka mospajtime mes shtetit të Izraelit dhe Autoritetit palestinez.

Paralajmërimi për hapjen e ambasadës në Jerusalem, BE pret që Kosova të “mos e minojë perspektivën evropiane”