Kurti flet për terminologjinë për të pagjeturit për të cilën janë dakorduar Kosova dhe Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot lidhur me dakordimin për deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën është diskutuar në takimin mes Kosovës dhe Serbinë, në mes të kryenegociatorëve.

Kurti ka thënë se termi në anglisht “Forcibly disappeared” apo persona “të zhdukur me dhunë”, është termi i cili ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes së dakorduar.

“Formulimi i saktë në anglisht është ‘Forcibly disappeared’, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë, kështu është termi që është dakorduar, pra edhe atëherë kur do të thuhet persona të pagjetur, të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë. “Forcibly disappeared”, është shprehja në anglisht që është dakorduar në Bruksel”- ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas Kurtit, fillimisht do të analizohen rezultatet e takimit të 4 prillit, më pas të përcaktohet një ecje para për takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet në prill.

“Së pari do të analizojmë  së bashku me zëvendëskryeministrin rezultatet e takimit më 4 prill, pastaj do përcaktojmë një ecje përpara për muajin prill, brenda të cilit do të ketë një takim të nivelit të lartë. Duhet të zbatohet e gjithë marrëveshja, ku kemi një nen që është për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme. Por, si çështje urgjente në aneksin e zbatimit të dakorduar në Ohër, parashihet pikërisht çështja e të pagjeturve nga lufta”- ka thënë ai.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka deklaruar se në takimin e radhës të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, BE do të ta mbështesë miratimin e tekstit për marrëveshjen për të pagjeturit.

“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh”- ka shkruar ai në Twitter.

Zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq me 4 prill nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak zhvilluan takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha që kanë diskutuar për çështjen e të pagjeturve mirëpo nuk përmendi ndonjë dakordim për tekst.

Ndërsa kryenegociatori serb Petar Petkoviq, pas takimit me Bislimin, ka thënë se janë dakorduar për tekstin për të pagjeturit, duke mos përmendur “zhdukjen e dhunshme”.

“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”- ka thënë Petkoviq.