Kryeministri Albin Kurti, 14 janar 2022, Foto: KALLXO.com

Kurti flet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe brenda Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka komentuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të Serbisë me 3 prill në territorin e Kosovës.

Kurti ka thënë se janë duke biseduar për të marrë një vendim i cili sipas tij do ndërtohet mbi bazën e rezolutës së Kuvendit të Kosovës, kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.

“Jemi në kontakt me ambasadat e QUINT-it dhe të Bashkimit Evropian këtu në Kosovë në mënyrë që të shohin se çfarë zgjidhje mund të gjejmë që edhe të drejtat të mos shkelen por kurrsesi të mos cenohet shtetësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit dhe rezoluta e Kuvendit”, tha Kurti në një deklarim para mediave sot.

Sipas Kurtit, qeveria e udhëhequr nga ai nuk dëshiron që t’ia pamundësoj votimin në zgjedhje serbëve që kanë dy shtetësi.

“Ne do ta gjejmë një zgjidhje për këtë dhe konsiderojmë që ajo zgjidhje nënkupton vullnetin e mirë, por para se gjithash dhe mbi të gjitha, janë edhe dysheme edhe tavan për neve, është kushtetutshmëria dhe sundimi i ligjit. Nuk duam asnjë qytetar i Republikës së Kosovës që e ka edhe nënshtetësinë e Serbisë të privohet nga e drejta e votës”, tha tutje Kurti.

Sot për këtë çështje, kryeministri Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) Chollet Derek.

“E falënderova atë [Kurtin] për mbështetjen e tij të fortë për Ukrainën dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme nacionale serbe të 3 prillit”, ka shkruar Derek në Twitter.

Republika e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, në janar të këtij viti dhe kuvendi pati miratuar rezolutë për këtë çështje.

Referendumi serb kishte të bënte me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kosova kishte ofruar mundësinë që serbët që kanë dyshtetësi të votojnë përmes postës dhe zyrës ndërlidhëse.