Kurti: Bislimi ndodhet në Bruksel, mbase do të ketë takim në përpjekje për dakordim për targa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot në Bruksel ndodhet zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Kurti ka thënë se Bislimi atje mund të ketë një takim, në përpjekje që brenda këtyre 48 orëve të arrihet dakordimi për çështjen e targave.

“Sot në Bruksel ndodhet Besnik Bislimi dhe mbase do të ketë një takim në përpjekje që brenda këtyre 48 orëve  të arrihet dakordimi, ne kemi vullnetin e mirë dhe qëllimin për një marrëveshje. Nuk kemi as hatër mbetje dhe as inate, nuk sillemi me cinizëm e as ironi por me të vërtetën dhe të drejtën tonë” – ka thënë Kurti.

Kurti ka theksuar se në procesin e dialogut, pala kosovare është pala me aktive dhe konstruktive.

“Në dialog jemi pala më aktive, kreative e konstruktive të njëjtën nuk mund të themi edhe palën tjetër e cila kërcënon. Kritik ndaj përfaqësuesit të lartë dhe emisarit të BE-së të cilët e braktisën propozimin, unë jam i gatshëm për takime” – ka thënë tutje Kurti sot gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Të hënën në Bruksel u mbajtën disa takime mes palëve, përfshirë një takim trepalësh mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesit të lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Por takimet rezultuan pa marrëveshje për çështjen e targave.

Më 22 nëntor, pak pas mesnatës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e pranon kërkesën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jefrey M.Hovenier për shtyrje për 48 orë të vendimit për shqiptim të gjobave.