Kurti: Bisedimet me Serbinë nuk janë për statusin e Kosovës, por për marrëdhëniet mes dy vendeve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bisedimet me Serbinë nuk janë për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kështu u shpreh Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dialogu, bisedimet, nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellë”, tha ai.

Kurti tutje shtoi se marrëveshja përfundimtare për Kosovën është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën, pasi kjo nuk do ishte marrëveshje përfundimtare.

“Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje e cila ka vetëm njohjen nga Serbia por që nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohje nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare”, potencoi Kurti para delegatëve të LVV-së.

Kryeministri Kurti po ashtu tha se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, nga pikëpamja e bindja jonë, atëherë kur ajo ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës të Vjenës për Ligjin mbi Traktatet.